Mickoski konfirmon hetimin ndaj Stefan Bogoevit, paralajmëron aksione në institucione të tjera

Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi hetimin ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoevit, përcjell TV21. Mickoski tha se në hetim janë përfshirë disa persona, ndërsa sipas tij, Bogoev, në qeverinë e kaluar ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit për disa veprime të parregullta. Mickoski tha se ka informacione që aksione të ngjashme si i djeshmi, do të realizohen edhe nëpër disa institucione.

 

“Bëhet fjalë për një individ që ka qenë ish-kryetar i një komune dhe ish-drejtor i një institucioni publik, në këtë rast Drejtorisë së Doganave. Bëhet fjalë për disa punonjës brenda këtij institucioni dhe një person që, si ta them, nuk e di, nuk kam kualifikim adekuat, por ishte shumë i afërt me qeverinë e mëparshme dhe ishte person që shpesh lehtësonte këto, kushtimisht thënë, veprime që janë të mbushura me shumë paligjshmëri. Ose, në terma të thjeshtë, një ndërmjetësues. Pra, nga informacionet që kam, kjo do të zgjerohet dhe nga informacionet që kam unë disa institucione, në periudhën e ardhshme, do të përballen me aksione të ngjashme lidhur me parregullsitë e së kaluarës, të cilat përfshihen në raportet e auditimit që tregojnë indicie për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar. Pra, të gjitha këto janë në fazën e hetimit. Unë besoj në prezumimin e pafajësisë. Çdokush ka mundësinë dhe të drejtën të provojë pafajësinë e tij, prandaj nuk do të hyja në komente të mëtejshme nga frika se mund të dëmtoja në mënyrë materiale procesin”, theksoi Mickoski.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Policia Financiare, në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka zhvilluar bastisje në shtëpi, objekte afariste dhe lokacione të tjera në disa pjesë të vendit. Sipas autoriteteve, aksioni u realizua me urdhër të gjykatës dhe në kuadër të një parahetimi për krim financiar dhe korrupsion.

Sipas Policisë Financiare, ekzistojnë dyshime se zyrtarë dhe persona të tjerë kanë keqpërdorur pozitën, ndikimin dhe reputacionin e tyre për të siguruar përfitime të paligjshme pasurore me vlerë të konsiderueshme.

Në kuadër të operacionit, disa persona janë privuar nga liria, ndërsa autoritetet, ende nuk kanë dalë me njoftime zyrtare në lidhje me personat e privuar nga liria.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit