Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon paraburgim për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev dhe tre të dyshuarve të tjerë për keqpërdorime në një procedurë të furnizimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminalet doganore. Sipas Prokurorisë, me favorizimin e një operatori ekonomik dhe kufizimin e konkurrencës, është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej rreth 18,5 milionë denarësh. Hetimi përfshin edhe dyshime për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm.
“Duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Drejtoria e Policisë Financiare, një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër katër personave – ish-drejtorit dhe ish-ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, menaxherit të një subjekti juridik dhe një të punësuari në të njëjtin subjekt. Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale: Keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për furnizim publik ose partneritet publik-privat, Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm dhe Dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm. Ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën korrik 2023 – mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për dhënien e kontratave të furnizimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminalet doganore, duke favorizuar një operator ekonomik të caktuar dhe duke kufizuar konkurrencën. Në këtë mënyrë, subjektit juridik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 18.479.692 denarësh. Sipas provave të siguruara, i dyshuari i parë, duke shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e tij si drejtor i Drejtorisë së Doganave, ka ndikuar në zhvillimin e procedurës së tenderit në favor të ofertuesit të përzgjedhur, ndërsa i dyshuari i dytë, në cilësinë e ndihmësdrejtorit, ka ndikuar tek operatorët e tjerë ekonomikë që të mos marrin pjesë në fazën përfundimtare të procedurës. Në kuadër të hetimit janë siguruar prova edhe për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ku i dyshuari i parë ka pranuar shpërblim në vlerë prej 111.600 denarësh për shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare dhe ndikimit real. Për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale, prokurori publik do t’i paraqesë gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të katër të dyshuarve”, thonë nga Prokuroria.





