Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot në Ohër priti kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend. Dy kryeministrat pritet të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim strategjik ndërmjet dy vendeve, ndërsa Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Ekonomisë e Kroacisë do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi.
“Sot pata nderin dhe kënaqësinë të mirëpres Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Ky takim është konfirmim i marrëdhënieve të mira dhe miqësisë ndërmjet Maqedonisë dhe Kroacisë, si dhe i rëndësisë së bashkëpunimit të ndërsjellë, vlerave evropiane dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar Mickoski.
Në ora 12:30 është paraparë konferencë e përbashkët për media e Mickoskit dhe Plenkoviqit. Gjatë qëndrimit të Plenkoviqit në Maqedoni është planifikuar edhe një takim biznesi mes pronarëve të kompanive nga të dyja shtetet.





