Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, paralajmëroi se huamarrja e re e Qeverisë në vlerë prej 260 milionë eurosh do t’i kushtojë shumë më shtrenjtë shtetit, duke pasur parasysh normën e lartë të interesit, ndërsa vetëm për kamata shteti do të paguajë mes 58 dhe 64 milionë euro. Bytyqi theksoi se çmimin e kësaj huamarrjeje të shtrenjtë do ta paguajnë qytetarët edhe para se të ndihet çfarëdo efekti ekonomik, përcjell gazeta KOHA.
“Sipas EURIBOR-it aktual gjashtëmujor prej 2,562 për qind dhe marzhës së kontraktuar prej 2,10 pikë përqindjeje, kjo kredi aktualisht do të kushtonte rreth 4,66 për qind në vit. Varësisht nga dinamika përfundimtare e shlyerjes, shteti do të paguante afërsisht mes 58 dhe 64 milionë euro vetëm për kamata, ndërsa me kompensimin njëherësh prej 3,64 milionë eurosh, barra e drejtpërdrejtë financiare lëviz nga 61 deri në 67 milionë euro, pa përfshirë shpenzimet shtesë të agjencive dhe kostot e tjera. Ky është çmimi real që qytetarët do ta paguajnë edhe para se të ndiejnë çfarëdo efekti ekonomik”, tha Bytyqi.
Ai vlerëson se “paratë nga huamarrja e re nuk do të përdoren për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, por për tenderët korruptivë të Qeverisë”.
“Më e tmerrshmja është se këto para nuk shkojnë te qytetarët, nuk shkojnë për standard më të lartë jetese, por për tenderë partiakë, kompani të favorizuara dhe luksin e pushtetit. Prandaj LSDM-ja, siç paralajmëroi, do t’i kundërvihet kësaj huamarrjeje”, deklaroi Bytyqi. Ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit Qeveria ka krijuar një nivel rekord të borxhit të ri. “Për dy vjet, Mickoski krijoi borxh të ri prej 2,5 miliardë eurosh, ndërsa borxhi publik u rrit në nivelin historikisht më të lartë prej 11 miliardë eurosh, borxh që do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme”, tha Bytyqi. (koha.mk)





