Filipçe: Nuk duhet të lejojmë që ndikimi serb dhe rus ta largojë Maqedoninë nga BE-ja

Kryetari i LDSM-së, Venko FIlipçe, në panel-diskutimin në kuadër të konferencës “Shtatë dekada më vonë: Nga vizioni i Shumanit te sfidat e reja gjeopolitike të Evropës”, deklaroi se Maqedonia e Veriut nuk duhet të lejojë ndikimin serb dhe rus ta largojë nga rruga evropiane, duke theksuar se zgjerimi i BE-së është sot një synim gjeostrategjik edhe për vetë Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se skepticizmi ndaj zgjerimit është tejkaluar dhe se aktualisht ekziston vullnet i qartë politik për integrimin e rajonit në BE, mundësi që vendi duhet ta shfrytëzojë.

“Ky skepticizëm që ishte i pranishëm nga disa shtete anëtare si Franca dhe Danimarka, tani është ndryshuar plotësisht. Ambasadorja daneze në Kuvend, kur prezantoi prioritetet e presidencës, tha: ‘Ne ishim kundër, tani jemi për zgjerimin’. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë moment, sepse zgjerimi është tashmë një qëllim gjeostrategjik i vetë BE-së”, tha Filipçe.

Ai paralajmëroi se diskutimet për alternativa ndaj rrugës evropiane janë të dëmshme për shtetin.

“Është e papranueshme të dëgjojmë për alternativa sot. Çfarë po frikësohemi? Çfarë lloj anëtarësh do të jemi? A frikësohen malazezët? Jo, ata po i përfundojnë obligimet dhe po ecin përpara. Nuk mund të mos përmendim ndikimin hungarez dhe serb në qeverinë tonë, si dhe lidhjet biznesore që shkojnë deri në nivelet më të larta të pushtetit, sepse kjo është një çështje shumë e rrezikshme që po ndodh dhe mund të jetë një nga arsyet pse nuk po ecim përpara në rrugën evropiane”, deklaroi ai.

Sipas tij, qytetarët kanë humbur besimin në funksionimin e sistemit dhe pa standarde evropiane dhe drejtësi evropiane është e vështirë të rikthehet besimi, veçanërisht tek të rinjtë.

“Njerëzit nuk kanë më besim. A mund të rikthehet besimi në drejtësi? Jo pa drejtësinë evropiane. A do të kthehet besimi që të rinjtë të qëndrojnë? Rreth 80% e studentëve të mi po mësojnë gjermanisht dhe duan të largohen”, shtoi Filipçe.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit