Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar BDI-në dhe liderin e saj Ali Ahmeti se për 22 vite në pushtet “normalizuan dhe stabilizuan padrejtësitë në kurriz të shqiptarëve”, përcjell Zyrtare.
Qoku tha se e mbështet të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre, por theksoi se çështja e provimit të jurisprudencës është problem i trashëguar prej dekadash.
“VLEN-i është zotuar se do të gjejë zgjidhje për këtë problematikë, por nuk mund të fajësohet për moszgjidhjen në 4-5 muaj të një çështjeje që BDI nuk e zgjidhi për 22 vite, me shtatë ministra shqiptarë të drejtësisë dhe gjithë atë pushtet”, shkroi Qoku.
Ai vlerësoi se fakti që provimi i jurisprudencës nuk është organizuar asnjëherë në shqip dëshmon se barazia gjuhësore nuk është ndërtuar plotësisht në praktikë, duke shtuar se ekziston dallim mes “propagandës politike” dhe “barazisë reale institucionale”.
Sipas tij, një pjesë e protestës po instrumentalizohet politikisht nga struktura që, siç tha, për vite kanë heshtur ndaj padrejtësive më të mëdha ndaj shqiptarëve, ndërsa tani po mobilizohen për interesa politike.
Në reagimin e tij, Qoku përmendi edhe kontekstin politik rajonal, duke pretenduar se tema po përdoret edhe për sulme ndaj Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, si mbështetës të VLEN-it.
Ai theksoi se protesta e studentëve është legjitime, por bëri thirrje që të dallohet mes revoltës qytetare dhe, siç u shpreh ai, përpjekjeve për instrumentalizim politik të saj./ZYRTARE.net





