MSH: Një tomograf në Radiologji është vënë në funksion, terminët për pacientët do të caktohen në dy ndërrime

Advertisement

Njëri nga tomografët e kompjuterizuar në Institutin Universitar të Radiologjisë në Shkup është vënë në funksion nga sot dhe është në dispozicion për kryerjen e ekzaminimeve diagnostikuese, njoftoi sot në mëngjes Ministria e Shëndetësisë.

“Me qëllim të ofrimit në kohë të shërbimeve shëndetësore, Instituti ka filluar organizimin e thirrjeve dhe caktimin e termineve të reja për të gjithë pacientët, ekzaminimet e të cilëve u ricaktuan përkohësisht për shkak të situatës së krijuar. Për këtë qëllim, është organizuar puna në dy ndërrime, si dhe punë shtesë gjatë fundjavës së ardhshme, me synimin që ekzaminimet të realizohen në afatin më të shkurtër të mundshëm, në përputhje me kapacitetet në dispozicion dhe prioritetet e përcaktuara mjekësore”, thonë nga Ministria.

Sa i përket tomografit të kompjuterizuar, i cili ndodhet në kompleksin kirurgjik dhe shërben kryesisht për diagnostikimin e pacientëve urgjentë, nga Ministria sqarojnë se procedura e servisimit është ende në zhvillim dhe pritet të përfundojë sa më shpejt.

“Trajtimi i pacientëve urgjentë vazhdon në përputhje me koordinimin dhe organizimin ndërinstitucional të vendosur, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve të nevojshme diagnostikuese. Pacientët urgjentë po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘8 Shtatori’ dhe në Klinikën e Kirurgjisë ‘Shën Naumi i Ohrit’ në Shkup. Apelojmë që në opinion të mos përhapen informacione të paverifikuara, në mënyrë që të mos dëmtohet besimi në sistemin shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit