ASH reagon ndaj akuzave të deputetes Imeri Stafai: Deputetja që e quan veten “kopuke” nuk ka të drejtë ta përbaltë Shqipërinë

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, e cila mbrëmë në një reagim publik e ka cilësuar Shqipërinë si “shtet ku lulëzon narkotrafiku”. Nga kjo parti vlerësojnë se deklaratat e tilla tejkalojnë çdo kufi të debatit politik dhe përbëjnë fyerje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit shqiptar, qytetarëve të tij dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në përgjithësi.

“Kur një deputete zgjedh ta quajë veten ‘kopuke’, kjo është çështje personale. Por kur në të njëjtin reagim fyen Shqipërinë duke deklaruar se atje ‘lulëzon narkotrafiku’, kjo nuk është më ironi, as humor, as revoltë artistike. Kjo është ofendim i rëndë ndaj Shqipërisë dhe ndaj çdo shqiptari që e konsideron atë pjesë të identitetit të vet”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

ASH thekson se është e papranueshme që një përfaqësuese politike shqiptare të përdorë, siç thonë, “gjuhë të propagandës më të ulët” kundër Shqipërisë, duke e lidhur këtë me përpjekje për të mbuluar mungesën e argumenteve politike. “Kjo gjuhë nuk dallon nga retorika që për vite me radhë është përdorur për të poshtëruar shqiptarët, për t’i paraqitur si problem dhe jo si komb me dinjitet, histori e kulturë”, theksohet më tej në reagim. Nga Aleanca për Shqiptarët kërkojnë gjithashtu që koalicioni VLEN të sqarojë publikisht qëndrimin e tij në lidhje me deklaratat e deputetes, duke kërkuar distancim të qartë nga gjuha e përdorur.

“VLEN duhet të tregojë publikisht nëse qëndron pas kësaj gjuhe fyese apo distancohet qartë prej saj. Heshtja në këtë rast nuk është kujdes politik, por pajtim me përbaltjen e Shqipërisë”, thuhet në reagim. Në fund, ASH thekson se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë dinjitetin dhe interesin kombëtar, e jo për retorikë që, sipas tyre, dëmton imazhin dhe unitetin e shqiptarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit