Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, realizoi sot një vizitë pune në Gostivar, ku bashkë me kryetarin e komunës, Valbon Limani, ndoqën nga afër zhvillimin e disa projekteve infrastrukturore që po realizohen në qytet.
Ajo njoftoi se përmes mbështetjes qeveritare, Gostivari ka përfituar 51 projekte infrastrukturore me vlerë të përgjithshme prej 9.1 milionë eurosh, duke u renditur ndër komunat me më së shumti projekte të aprovuara.
“Në terren po shihen rezultatet konkrete të investimeve. Rrugët që po ndërtohen dhe rikonstruktohen do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e qarkullimit dhe kushteve për qytetarët”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Gjatë vizitës u inspektuan punimet në rrugët “Drage Todoroski” dhe “Momir Markoski”, ndërsa po vazhdojnë punimet edhe në rrugën “Nikolla Teslla”, si dhe në rikonstruktimin e rrugëve “18 Nentori” dhe “Sedek Kostoski”, që konsiderohen ndër projektet më të mëdha infrastrukturore aktuale në qytet.
Nga Ministria theksojnë se investimet në infrastrukturën lokale do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me fokus në zhvillimin urban dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.





