Ardita Sinani: Bashkimi i VLEN-it në interes të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut

Pikërisht në ditën e Europës, VLEN në mënyrë simbolike shënoi një nga vlerat më sublime, mbi premisat e së cilës u ndërtuan themelet e Europës. Atë të përbashkimit e bashkëorganizimit me qëllim të zhvillimit të shoqërisë.

Sonte u fillua një kapitull i ri, por shumë i rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Një grupacion i disa subjekteve politike shqiptare që garoi në zgjedhjet e fundit lokale e parlamentare në Maqedoninë e Veriut, sonte u shndërrua në një organizim unik politik. VLEN u shndërrua në parti politike.

Kështu sonte, liderët e subjekteve që përbënin koalicionin VLEN, duke tejkaluar çdo dallim, e me të vetmin qëllim unifikimin e spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, e kthyen një front politik të përbashkët e shumë të fuqishëm të shqiptarëve.

Ky bashkim ktheu shumë zëra në një zë të vetëm, shumë parti në një forcë, shpresën e shqiptarëve e ktheu në angazhim serioz për të forcuar pozitën vendimmarrëse të shqiptarëve.

Në këtë periudhë shumë të ndieshme për rajonin në përgjithësi, e për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në veçanti, fragmentarizimi i spektrit politik shqiptar do të ishte armiku më i madh i synimit për realizimin e synimeve të shqiptarëve atje.

Prandaj bashkimi i të gjithë liderëve të partive që përbënin VLEN-in si koalicion në shndërrimin e saj në një subjekt të vetëm, merr vlerë të shtuar aq sa vizionare, po aq kombëtare.

Sepse për këtë unifikim, udhëheqësit e VLEN nuk i patën para tyre kalkulimet politike, por interesin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

I urova suksese e punë të mbarë në realizimin e qëllimeve programore bashkëkryetarëve të VLEN, Izet Mexhitit e Bilall Kasamit, nënkryetarët Bekim Qoku e Mimoza Musa, si dhe sekretarit Bekim Sali.

(Fjalim i kryetares së Preshevës në Kongresin e VLEN-it)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit