Qytetarët po paguajnë shtrenjtë përrallat dhe paaftësinë e kryeministrit Hristijan Mickoski, ndërsa pasojat po ndihen me xhepa dhe frigoriferë bosh, vlerësoi sot kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në një konferencë për shtyp, duke theksuar se LSDM-ja paralajmëroi dhe kërkoi masa konkrete dy muaj më parë, menjëherë pas fillimit të krizës në Lindjen e Mesme. Ai e theksoi kthimin e TVSH-së për karburanteve dizel në 18 për qind si veçanërisht problematike, duke vlerësuar se bëhet fjalë për heqjen e një mase sociale që do t’i prekë më tej qytetarët.
“Qytetarët sot jetojnë në një ekonomi që po fundoset, me një jetë të vështirë të përditshme, me çmime në dyqane që kanë dalë jashtë kontrollit, me standardin më të ulët të jetesës në Evropë dhe me të rinj që po largohen nga vendi”, tha Filipçe.
Ai kujtoi se në fillim të krizës, LSDM propozoi një paketë masash që përfshinte uljen e TVSH-së për karburantet në pesë për qind, heqjen e TVSH-së për produktet themelore ushqimore, si dhe uljen e akcizave me katër denarë.
“Me një paketë të tillë masash, qytetarët do të përfitonin realisht, kjo do të ndihej në buxhetet familjare, si dhe do të parandalohej spiralja e rritjes së çmimeve për produktet e tjera që lidhen me çmimet e energjisë”theksoi Filipçe.
Sipas tij, Qeveria dhe partnerët e saj të koalicionit i hodhën poshtë të gjitha projektligjet e LSDM-së, ndërsa disa nga masat që u prezantuan më vonë, siç tha ai, ishin gjysmë të gatshme dhe tani po shfuqizohen. Filipçe vlerësoi se kjo po ndodh shumë vonë, në kushte kur çmimet e pothuajse të gjitha produkteve janë të larta.



