SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal ndaj katër personave, të dyshuar për kryerjen e dhjetë veprave penale, përfshirë katër vjedhje të rënda dhe gjashtë tentativa për vjedhje të rënda.
Të dyshuarit janë E.V. (43) nga Nikushtaku i Likovës, H.A. (53) nga Kosova, A.A. (34) nga Otël i Likovës dhe E.A. (34) nga Nikushtaku.
Sipas policisë, më 19 shtator 2026, në Pallçishtën e Poshtme, nga një shtëpi është marrë një kasafortë që përmbante stoli ari, armë dhe municion, me vlerë rreth 160 mijë euro.
Në një tjetër rast, nga 24 deri më 28 nëntor 2025, nga një shtëpi në të njëjtin fshat janë marrë stoli ari dhe para në vlerë rreth 70 mijë euro.
Të dyshuarit akuzohen edhe se më 10 maj kanë hyrë me forcë në një bastore sportive në Tearcë dhe kanë hapur kasafortën, prej nga kanë marrë para. Ndërsa nga 23 deri më 26 maj, nga një magazinë pranë një pike karburanti në Pirok, dyshohet se kanë marrë disa paketime cigare.
Policia thotë se nga prilli deri në shtator, të dyshuarit kanë hyrë edhe në gjashtë shtëpi dhe objekte të tjera në Kamjan, Pallçishtën e Poshtme, Nerasht, Tearcë dhe Radiovcë, ku kanë kontrolluar ambientet, por nuk kanë marrë sende.






