E mbushur me emocione të forta ishte mbrëmja e djeshme në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ku artistët e Ansamblit Kombëtar sollën për publikun koncertin homazh kushtuar ikonës së muzikës qytetare tiranase, Muharrem Gurra.
“Kur dy zemra dashurohen” u titullua koncerti sipas një prej këngëve më të njohura të artistit. Shfaqja erdhi si një udhëtim i ndjerë në kohë, duke rikthyer në jetë meloditë dhe shpirtin artistik të Gurrës, përmes një ndërthurjeje elegante mes traditës dhe interpretimit bashkëkohor.
Muharrem Gurra është një nga figurat më të shquara të muzikës popullore qytetare tiranase dhe asaj të Shqipërisë së Mesme, i njohur si kompozitor, këngëtar dhe autor tekstesh.
Gurra u nda nga jeta në vitin 1988 por pas kanë mbetur rreth 270 këngë që ai i krijoi gjatë jetës së tij e që këndohen ende sot në të gjithë Shqipërinë.
Në skenë u ngjitën emra të dashur për publikun si Merita Halili, e cila u rikthye pas vitesh mungese dhe u prit me duartrokitje të gjata, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani dhe Artan Bakija, ndërsa në piano emocionet u përcollën me ndjeshmëri nga mbesa e artistit Elvina Gurra.



