Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se qeveria po punon për gjetjen e zgjidhjes ligjore, me të cilën studentëve shqiptarë të juridikut, do t’u mundësohej që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Mickoski tha se po kërkohet, siç theksoi ai ” zgjidhje kushtetuese sipas standardeve ndërkombëtare”, pasi Ligji për Gjuhët është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për pjesën e gjyqësorit dhe se Komisioni i Venecias ka dhënë mendim negativ për këtë ligj në pjesën e gjyqësorit.
“Punojmë për zgjidhje, zgjidhja duhet të jetë kushtetuese dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Tani e dini, kërkesat janë tjetër, Kushtetuta dhe standardet ndërkombëtare janë tjetër dhe duhet ashtu të sillemi, nëse duam të sillemi në mënyrë evropiane, atëherë duhet të respektojmë Kushtetutën dhe standardet evropiane. Është fakt që ligji që është miratuar, Ligji për Zbatimin e Gjuhëve është kontestuar në Kushtetuese, dhe pikërisht në pjesën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit. Është fakt se kemi mendim negativ nga ana e Komisionit të Venecias, kur bëhet fjalë për dygjuhësinë në gjyqësor, sepse fillimisht nuk kemi mjaftueshëm resurse që ta zbatojmë, dhe së dyti nuk garantohet sundimi i së drejtës, respektivisht pabarazi në sundim të së drejtës, dhe për atë ata fuqishëm rekomandojmë që të kthehemi në Ligjin për Gjuhët në vitin 2008-2009. Njëkohësisht është fakt që studentët që studiojnë juridik në gjuhën amtare, në këtë rast gjuhën shqipe, kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe janë pjesë e sistemit të arsimit në Maqedoni. Kështu që ne kemi formuar Komision. Ai Komision është i përbërë nga ekspertë kushtetues dhe punon për gjetjen e zgjidhjes që do të jetë edhe kushtetuese, edhe sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Mickoski.
Tutje kryeministri tha se protesta e djeshme e studentëve kishte konotacion politik, ndërsa për këtë tha se ka njoftuar aleatët në BE dhe NATO.
https://www.facebook.com/reel/1455185506076181
“Gjithashtu është fakt që dje pamë aktivistë dhe funksionarë të lartë të opozitës që ishin në protestë, dhe asaj i dhanë edhe konotacion politik, ne për këtë i kemi informuar aleatët tanë edhe në NATO, por edhe aleatët tanë në BE, për përpjekje të opozitës që në një mënyrë të bëj destabilizim dhe mendoj se kjo nuk gjeti miratim nga ana e përfaqësuesve të lartë të bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi Mickoski.



