BDI akuzoi Komunën e Çairit se po merr 2 milionë euro borxh për shlyerje të borxheve, VLEN-i arsyetohet

Partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Këshillin e Komunës së Çairit për miratimin e një huamarrjeje afatgjate prej 120 milionë denarësh, me afat kthimi 10 vjet, duke theksuar se kjo kredi nuk është për zhvillim, por për shlyerjen e borxheve ekzistuese.

Sipas BDI-së, kjo nënkupton që qytetarët do të paguajnë për vite me radhë për shpenzime të mëparshme, për të cilat, siç pretendojnë, nuk ka pasur transparencë dhe llogaridhënie. Ata shtrojnë pyetje për mënyrën se si janë krijuar këto borxhe, duke pretenduar se mjetet janë shpenzuar për kontrata të përkohshme, aktivitete partiake dhe shpenzime luksi.

Nga ana tjetër, koalicioni VLEN reagoi menjëherë duke theksuar se edhe këshilltarët e BDI-së në Këshillin e Çairit e kanë votuar këtë vendim, duke i kundërshtuar akuzat e tyre.

BDI gjithashtu kritikoi mungesën e transparencës, duke thënë se nuk është publikuar lista e detyrimeve që do të shlyhen, nuk ka analizë për krijimin e borxhit dhe nuk është përcaktuar përgjegjësia për menaxhimin e financave.

Partia kërkon publikimin e plotë të borxheve, audit të pavarur për shpenzimet para zgjedhjeve dhe përgjegjësi për çdo keqpërdorim të mundshëm të mjeteve publike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit