Kampionia olimpike e Tokios 2020 ka nisur zyrtarisht punën në Federatën e Xhudos së Valonisë, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e saj.
Një nga emrat më të mëdhenj të sportit kosovar, Nora Gjakova, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj, këtë herë jashtë tatamit si garuese, transmeton albinfo.ch.
Kampionia olimpike e Tokio 2020 ka filluar zyrtarisht punën si trajnere e xhudos në Federatën e Xhudos së Valonisë në Belgjikë, pas tërheqjes nga sporti aktiv më herët gjatë këtij viti.
Gjakova do të jetë pjesë e stafit të trajnerëve ku do të punojë së bashku me Pedro Guedes, me synimin për të zhvilluar gjeneratat e reja të xhudistëve belgë. Dyshja njihen prej më parë, pasi Guedes kishte kaluar një periudhë të shkurtër si trajner në Kosovë.
Federata Judo Wallonie Bruxelles e ka konfirmuar lajmin përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur krenarinë për angazhimin e saj në ekip.
“Me shumë krenari e mirëpresim Nora Gjakovën në ekipin tonë si trajnere. Kampionia Olimpike e Tokios 2020 dhe fituese e shumë medaljeve ndërkombëtare sjell me vete përvojë të nivelit të lartë, përkushtim dhe pasion që do të jenë të çmuara për zhvillimin e judokasve tanë”, thuhet në reagim.
Ky angazhim i ri i Norës konsiderohet si një hap i rëndësishëm në karrierën e saj sportive, duke e shndërruar përvojën dhe suksesin e saj në kontribut për zhvillimin e xhudos në Belgjikë./Albinfo.ch



