Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, një hap historik drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për kujdesin shëndetësor në vend, përcjell albinfo.ch.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi ligjin si një nga iniciativat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në Kosovë.
“Ky projektligj është rezultat i një periudhe të gjatë analizash dhe studimesh të praktikave ndërkombëtare, dhe është hartuar për t’i përgjigjur nevojave të qytetarëve tanë, duke e bërë të zbatueshëm për realitetin ekonomik dhe social të vendit,” tha Vitia.
Sipas tij, ligji parashikon themelimin e Fondit të Sigurimit Detyrues Shëndetësor të Republikës së Kosovës, i cili do të mbulojë gjithë popullatën dhe do të sigurojë qasje universale në shërbimet shëndetësore. Projekti gjithashtu synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, zhvillimin e mekanizmave të financimit në sektor dhe zvogëlimin e pabarazisë dhe varfërisë që lindin nga mungesa e mbulimit shëndetësor.
“Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm pas më shumë se një dekade për të krijuar një sistem të qëndrueshëm shëndetësor që i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës,” përfundoi ministri Vitia.
Ky vendim vjen në një kohë kur vendet në rajon dhe më gjerë po intensifikojnë masat për sigurimin e qasjes universale në kujdesin shëndetësor, duke e bërë Kosovën pjesë të trendit të zhvillimeve moderne në këtë sektor./Albinfo.ch



