Mexhiti: Bashkëpunimi ndërkomunal shqiptar po hyn në fazë konkrete zhvillimi

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se në Tetovë është mbajtur një takim i zgjeruar i përfaqësuesve të komunave shqiptare nga rajoni, në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.

Në takim, përveç përfaqësuesve nga Çairi dhe Tetova, morën pjesë edhe delegacione nga Prizreni, Tuzi, Gjakova, Gostivari, Bujanoci, Vrapçishti, Vushtrria, Peja dhe Presheva.

Sipas Mexhitit, ky organizim synon të thellojë koordinimin ndërkomunal dhe të krijojë mundësi konkrete zhvillimi edhe përtej kufijve shtetërorë. Ai theksoi se fokusi i diskutimeve ishte në projektet që pritet të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026, me theks të veçantë në sigurimin e fondeve evropiane, forcimin e lidhjeve institucionale dhe rritjen e koordinimit ndërmjet komunave.

Në të njëjtën kohë, u diskutuan iniciativa në fusha kyçe si zhvillimi ekonomik, turizmi, projektet sociale dhe infrastruktura, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Mexhiti nënvizoi edhe rëndësinë e decentralizimit, duke theksuar se komunat duhet të kenë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi për të ndërtuar politika më efektive dhe për të sjellë zhvillim konkret në nivel lokal.

Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa e komunave nga Shqipëria në këtë iniciativë, pasi asnjë prej tyre nuk është përfshirë në Unionin e Bashkive Shqiptare në Rajon.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit