Grupi parlamentar i Fronti Evropian ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për të tërhequr Propozim-ligjin për lojërat e fatit nga procedura parlamentare, duke e cilësuar atë si një veprim të pakuptueshëm dhe joserioz.
Sipas këtij grupi parlamentar, ligji ishte prezantuar si prioritet për mbrojtjen e qytetarëve dhe familjeve, si dhe për rregullimin e një sektori shumë të ndjeshëm. Megjithatë, tërheqja e tij pa asnjë sqarim publik, sipas tyre, dëshmon për mungesë konsistence dhe përgjegjësie në politikëbërje.
Nga Fronti Evropian theksojnë se qytetarët meritojnë transparencë dhe seriozitet, e jo vendime të paqarta dhe të paqëndrueshme. Ata rikujtojnë se, sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar sektori i lojërave të fatit ka realizuar qarkullim prej rreth 2.7 miliardë eurosh, që përbën afërsisht gjysmën e buxhetit të shtetit.
Në reagim thuhet se pikërisht për këtë arsye Qeveria nuk e ka ndaluar këtë aktivitet, por përkundrazi, sipas tyre, e ka stimuluar atë.
Grupi parlamentar gjithashtu kritikon eksponentët e VLEN, duke theksuar se nëse nuk janë në gjendje të qëndrojnë pas premtimeve dhe politikave që vetë i promovojnë, duhet të japin përgjegjësi të qartë para qytetarëve.
Në fund, ata vlerësojnë se luhatjet dhe vendimet e paarsyetuara në çështje kaq të rëndësishme përbëjnë jo vetëm dështim politik, por edhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj interesit publik dhe besimit të qytetarëve në institucione.



