Në rritje numri i rasteve me osteoporozë, mjekët bëjnë thirrje për kontroll të hershëm

Shkup, 2 prill Zhurnal.mk – Në Klinikën Ortopedike “Shtëpia e Nënës” (“Majçin Dom”) është vënë në funksion një aparat i ri modern për zbulimin e osteoporozës. Mjekët thonë se numri i qytetarëve që vuajnë nga osteopoza është në rritje, andaj bëjnë thirrje të caktojnë termin që sëmundja të zbulohet herët.

“Ky aparat na hap dyer, sepse përveç që do ta ulim numrin e frakturave, do të bëjmë edhe kursime të mëdha për sistemin shëndetësor. Më tej shpresojmë që së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë të formojmë një regjistër të pacientëve me osteoporozë, në mënyrë që t’i ndjekim ata.”, – deklaroi dr. Marta Foteva nga Klinika për Sëmundje Ortopedike.

Aparat i ri për diagnostikimin e osteoporozës, Aliu: Aparatet mund të merren edhe me qira

Ministri i Shëndetësisë tha se do të ndjekin shembullin e vendeve të tjera që në vend që shteti t’i blejë, do t’i marrë me qira aparatet, sepse kështu edhe mirëmbajtja e tyre do të jetë më e lehtë.

“Po bëjmë një analizë serioze që edhe ne si shtet të kalojmë në modelin e marrjes me qira të aparateve. Kjo do të ishte një zgjidhje e menjëhershme në nivel shtetëror, që do të thotë se 20–30 aparate mund të instalohen njëkohësisht në institucionet shëndetësore. Nga ana tjetër, mirëmbajtja dhe monitorimi teknik i kësaj aparature do të jetë më i lehtë.”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Studimet tregojnë se rreth 18–20% e popullsisë në botë vuan nga osteoporoza. Sipas vlerësimeve, rreziku është më i lartë te gratë dhe personat mbi 50 vjeç.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit