Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka ftuar qeverinë e vendit që të ndërmarrë një seri masash “urgjente” për të mbrojtur e ndihmuar qyetarët e vendit përballë rritjes së çmimeve të mallërave.
Kjo parti opozitare propozoi që të vendoset çmime tavan për produktet bazë ushqimore ose marzhe të kufizuara për të ndalur abuzimet me çmimet; të rritet paga minimale me 3500 denarë duke filluar nga muaji mars; të ulet përkohësisht TVSH-ja për produktet bazë ushqimore për 3 muaj; të rishikohen të dhënat doganore për importin e pemëve dhe perimeve; si dhe të bëhen kKontrolle më të rrepta në treg për të ndaluar spekulimet me çmimet.
BDI poashtu i bëri thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që të shqyrtojë çmimet e derivateve të naftës dy herë në javë për të reflektuar rënien e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Dje BDI i ka akuzuar autoriteteve vendore për vendimin e ri për rritje të çmimeve të naftës dhe derivateve të shitjes me pakicë, dhe ka e ka ftuar qeverinë dhe Komisionin Rregullator për Energjetikë për rishikim të vendimit.
Kjo parti po ashtu tha se qeveria duhet që të përdorë rezervat shtetërore të naftës, për të cilat tha se janë në dispozicion për 62 ditë dhe me çmim maksimal 71 denarë për litër.
Ajo e ftoi qeverinë që të ulë akcizat dhe detyrimet e tjera për derivatet e naftës.
Si masë shtesë, BDI kërkoi edhe ndëshkimin e operatorëve që nuk kanë furnizuar qytetarët me karburant gjatë fundjavës dhe ditës së hënë.
Dy ditë më parë edhe LSDM i bëri thirrje qeverisë për një paketë masash të nevojshme për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe derivateve të saj.
Venko Filipce propozoi ulje të TVSH-së nga 18% në 5% për të gjithë derivatet – dizel, benzinë pa plumb, vaj motorik, gaz të lëngshëm nafte dhe metan.
Ai po ashtu propozoi TVSH 0% për produktet bazë ushqimore, për të “amortizuar” një goditje eventuale çmimesh tek produktet bazë ushqimore.



