Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për realizimin e një projekti në hapësirën mbi dhe përgjatë mbulesës së kanalit, pranë shkollave fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe “Abdyl Frashëri”.
Projekti parasheh ndërtimin e rrugës për këmbësorë dhe biçikleta, si dhe një shëtitoreje me rregullim hortikulturor.
Sipas Beqirit, në këto dy shkolla mësojnë mbi 2.000 nxënës, ndërsa hapësira e përfshirë në projekt shërben si lidhje ndërmjet tyre.
Ai ka bërë të ditur se punimet pritet të fillojnë gjatë kësaj jave, ndërsa u ka bërë apel banorëve që të lirojnë hapësirat publike të uzurpuara përgjatë trasesë së projektit, për të mundësuar zhvillimin e punimeve pa pengesa.








