Iva Mihaillova kërkoi të marrë pjesë përmes videos në gjykim, gjykata e refuzoi

Advertisement

Pas paraqitjes në një podkast, ku bëri një sërë fyerjesh ndaj Maqedonisë dhe akuzoi për diskriminim ndaj saj, 23-vjeçarja Iva Mihaillova dha intervistë edhe për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT). Edhe në këtë intervistë ajo bëri akuza të rënda për keqtrajtim psikologjik, ndjekje dhe bastisje të paligjshme nga ana e shërbimeve policore maqedonase gjatë qëndrimit të saj në Koçan.

Kundër Mihaillovës, e cila u largua drejt Bullgarisë, në Gjykatën Themelore në Koçan po zhvillohet procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale. Në deklaratën për BNT, ajo bëri të ditur se avokati i saj tashmë i ka dorëzuar kërkesë gjykatës së Koçanit që t’i mundësohet pjesëmarrja përmes videokonferencës në seancën e radhës, të caktuar për sot.

Sipas informacioneve të BNT-së, e cila po e ndjek seancën në Koçan, prokurori Igorço Krstov është kundërshtuar kërkesës së Mihaillovës, duke vlerësuar se e akuzuara mund të paraqitet personalisht në sallën e gjyqit dhe të marrë pjesë në shqyrtimin kryesor, ashtu siç kishte ndodhur në seancat e mëparshme. Prokurori ka theksuar se, duke pasur parasysh faktin se Mihaillova nuk i ka respektuar masat për sigurimin e pranisë dhe është larguar qëllimisht dhe me vetëdije, ajo vetë ka vendosur që procedura të zhvillohet pa praninë e saj.

Pas qëndrimit të paraqitur nga prokurori, gjykata ka marrë vendim për ta refuzuar si të pabazë kërkesën e Iva Mihaillovës.

Sa i përket intervistës së saj për televizionin kombëtar bullgar, sikurse edhe në podkast, gazetari nuk e pyeti dhe as ajo nuk tregoi se si është larguar nga Maqedonia dhe ka hyrë në Bullgari, duke pasur parasysh se në kuadër të procesit gjyqësor i ishin marrë të dy pasaportat – ajo maqedonase dhe ajo bullgare – dhe kishte detyrim të paraqitej në gjykatë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit