Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka bërë thirrje për fillimin e negociatave serioze diplomatike me qëllim ndalimin e luftimeve në lLindjen e Mesme, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet dhe të dalë jashtë kontrollit.
Në një deklaratë të premten, Guterres theksoi se rreziqet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe se përshkallëzimi i dhunës po shkakton vuajtje të mëdha.
“Të gjitha sulmet e paligjshme në Lindjen e Mesme dhe më gjerë po shkaktojnë dëme dhe vuajtje të mëdha për civilët, ndërsa paraqesin gjithashtu një rrezik serioz për ekonominë globale, veçanërisht për njerëzit më të prekshëm”, thuhet në deklaratën e tij.
Shefi i OKB-së paralajmëroi se situata mund të dalë jashtë kontrollit të kujtdo, duke theksuar se tashmë është koha që të ndalen luftimet dhe të nisin negociata serioze diplomatike për të shmangur një përshkallëzim më të madh të konfliktit.



