‘Gërrdia’ në skenën e TKK, drama mbi traumën njerëzore dhe dhimbjen që s’gjen prehje

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes ‘Gërrdia’ me tekst dhe regji të Astrit Kabashit. Shfaqja solli para publikut një dramë të ngarkuar me tension psikologjik dhe me një peshë të ndjeshme emocionale, duke e kthyer skenën në hapësirë rrëfimi për traumën njerëzore, një traumë që gërryen heshturazi jetën e individit, shkruan KultPlus.

Që në çastet e para të shfaqjes, një krismë arme e papritur shërben si hyrje dramatike, si një paraprirje e një shpërthimi më të madh dhe më të thellë psikologjik, që do ta përshkonte gjithë shfaqjen.

Në qendër të shfaqjes qëndron Leka, i portretizuar nga aktori Bujar Ahmeti, një personazh që bart mbi vete barrën e një jete të thjeshtë në dukje, por të mbushur me plagë të thella nga e kaluara. Leka nis  papritmas të shfaqë çrregullime të dukshme psikologjike, të qara të shpeshta e të pashpjegueshme, mungesa në punë, shmangie të përgjegjësive familjare dhe një paaftësi gjithnjë e më e theksuar për të funksionuar brenda rolit të tij si burrë.

Këto shenja nuk paraqiten si kriza momentale, por si simptoma të një traume që e ka zanafillën që në fëmijërinë e tij, por të shfaqura së fundmi si një shpërthim, në një kohë kur babai i tij po qëndronte në spital, në ditët e tij të fundit të jetës. Ndonëse kjo e fundit, përkon me shpërthimin psikologjik të Lekës, situata e babait vjen e ftohtë dhe pa ndjeshmëri emocionale tek ai.

Përballë këtij realiteti të vështirë qëndrojnë edhe dy figura të tjera kyçe, bashkëshortja e Lekës, e interpretuar nga Majlinda Kosumoviq, dhe mjekja, në rolin e së cilës shfaqet Rebeka Qena. Të dyja këto personazhe përfaqësojnë përpjekje të ndryshme për ta kuptuar dhe menaxhuar krizën e Lekës, por edhe pamundësinë për ta shpëtuar atë nga një botë e brendshme që nuk gjen më prehje.

Marrëdhënia bashkëshortore, e ndërtuar mbi një martesë dhjetëvjeçare, shfaqet si një hapësirë ku komunikimi gradualisht po humbte kuptimin. Gruaja e Lekës përballet me një burrë që po largohet gradualisht jo vetëm nga përgjegjësitë, por edhe nga vetë prania emocionale, pavarësisht se shfaqja kohë pas kohe i shfaqte ata në situata ku kishte përpjekje që ta kuptonin njëri – tjetrin e të gjenin një zgjidhje. Në anën tjetër, figura e mjekes pasqyronte përpjekjen profesionale për ta diagnostikuar dhe shpjeguar dhimbjen, por që përplaset me faktin se trauma nuk është gjithmonë e shërueshme nëpërmjet ilaçaeve e përpjekjeve mjekësore.

Shfaqja pasqyronte edhe më shumë traumën nëpërmjet monologëve të Lekës, ku ai rikthehet në fëmijërinë e tij dhe në kujtimet që kanë mbetur të pazbërthyera. Një nga rrëfimet më tronditëse është ai për një qingj që ai tregonte se e kishte hedhur dikur në një gropë, një faj që e kishte ndjekur gjithë jetën. Ky kujtim merr përmasa rrëqethëse kur gradualisht ai e tregon se në fakt, viktima nuk ishte një kafshë, por motra e tij e pestë, e fshehur për vite me radhë në ndërgjegjen e tij si traumë e faj i pashprehur. Ky zbulim jo vetëm që shpjegoi gjendjen psikologjike të Lekës, por e shndërroi shfaqjen në një reflektim të thellë mbi mënyrën se si e vërteta e shtypur ndër vite shndërrohet në barrë të padurueshme mendore.

Gjatë rrjedhës së saj skenike, ‘Gërrdia’ shoqërohet nga një varg momentesh që pasqyrojnë me luhatjet e brendshme të traumës njerëzore, duke krijuar një kontrast të vazhdueshëm emocional. Shfaqja kalon nga skena të ngarkuara me ankth dhe tronditje psikologjike në çaste që, herë pas here, merrnin ngjyrime të përkohshme qetësie. Këto momente nuk zgjasnin, por shfaqeshin si shkëndija të shkurtra normaliteti, e që më vonë shoqëroheshin nga shpërthime emocionale, britma të papritura dhe reagime të pashpjeguara, që dëshmonin një mendje të mbingarkuar. Ky tension i vazhdueshëm kulmoi në skenën përmbyllëse, kur Leka kumtoi ftohtësisht lajmin se babai i tij ka ndërruar jetë.

Pas shfaqjes, që u pasua me duartrokitje disa – minutëshe nga publiku, për KultPlus foli vetë dramaturgu dhe regjisori i shfaqjes, Astrit Kabashi, i cili tregoi për zanafillën e kësaj drame, deri në vënien e saj në skenë.

“Këtë dramë kam filluar ta shkruaj diku rreth vitit 2018, atë vit ka ndërruar jetë edhe nëna ime, e këtë dramë kam dashur t’ia dedikoj asaj. Kanë qenë momente të rënda pas vdekjës së nënës, pastaj erdhi Covidi, ishin ditë deri diku të errëta. Këtë tekst e kam përfunduar para vitit 2023, e po atë vitë edhe fitova çmimin ‘Katarina Josipi’ si drama më e mirë dhe më pas është fituar edhe e drejta për ta punuar në Teatrin Kombëtar. Është dramë psikologjike që flet për një traumë të fshehur dhe që eksplodon pa pritur, madje as personazhi nuk e kupton nga i vjen, deri sa në fund e kuptojmë se nga i ka ardhë. Kastën e aktorëve i kam përzgjedhur vetë, edhe Majlindën edhe Bujarin i kam pasur studentë në Fakultetin e Arteve, kam besuar deri në fund, besoj që ia kanë dalë shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për ta”, u shpreh Kabashi.

Ndërkaq, për KultPlus foli edhe aktori Bujar Ahmeti, i cili përveç se shprehet i lumtur për këtë bashkëpunim, flet edhe më shumë për rolin e Lekës dhe vështirësitë e realizimit të tij.

“Jam shumë i lumtur për këtë proces që e kemi kaluar bashkë me profesorin Astrit Kabashi, e falënderoj Teatrin Kombëtar dhe gjithë ekipën. Jemi munduar ta bëjmë një punë të jashtëzakonshme për rreth gjashtë javë. Është një dramë psikologjike, një traumë e cila vazhdon në jetën e Lekës, e cila shfaqet dhe godet papritmas, e të cilën mundohet gradualisht ta gjejë se ku është problemi. Leka është një personazh që gjithmonë është fshehur pas babait të tij, por në momentin që babai i tij fillon edhe i përkeqësohet gjendja shëndetësore, atij fillon edhe me i ra edhe dielli, edhe shiu edhe bora dhe fillon e kupton që ka mungesë autoriteti, e ato nxjerrin në pah edhe mënyrën se si Leka është rritur”, tha Ahmeti.

Pas shfaqjes foli edhe aktorja Majlinda Kasumoviq, e cila po ashtu shprehet e lumtur për këtë paraqitje. Ajo mes tjerash foli edhe për procesin, përparësitë dhe vështirësitë që hasën deri në përsosmërinë e shfaqjes.

“Ndonjëherë janë disa role që janë më të vogla dhe që ndoshta janë mbështetëse të rolit kryesor, e që duket sikur nuk ke çfarë të japësh nga vetja sepse duhet gjatë gjithë kohës ta përforcosh rolin kryesor, megjithatë ka qenë shumë kënaqësi ta paraqes një rol që mundohej të gjente detaje që të krijonte një raport mes dy roleve. Tema nuk është e lehtë aspak. Kur kemi filluar, kemi filluar direkt e në skenë, duke qenë se ne kishim regjisorin edhe autor, ai e dinte sakt se çka donte dhe na tregonte se si të veprojmë, e ajo na e ka bërë edhe më të lehtë punën dhe progresin në skenë”, theksoi Kasumoviq për KultPlus.

Ju kujtojmë se drama ‘Gërrdia’ nga Astrit Kabashi, ka qenë fituese e çmimit si drama më e mirë në konkursin ‘Katarina Josipi’ në vitin 2023./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit