Mexhiti: VLEN nuk lindi nga nëntavolinat e parapolitikës, por nga rrugët, nga shtëpitë dhe nga heshtja e gjatë e qytetarëve

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti gjatë fjalës së tij në Kongresin e bashkimit sot të mbajtur në Shkup nën praninë e shumë mysafirëve, funksionarëve e delegatëve tha se ka momente në histori kur politika pushon së qeni garë dhe kthehet në domosdoshmëri.
Sipas tij, janë këto momente kur koha kërkon jo vetëm ndryshim, por bashkim. Jo shumë zëra, por një zë që e di ku shkon dhe pse shkon.

“Në ato çaste lind nevoja për një drejtim të ri. Për një rrugë që nuk kalon nga frika, por nga një vullnet i pathyeshëm për ta çliruar vendin nga politika sunduese dhe përçarëse.
Dhe, VLEN-i lindi pikërisht në një kohë të tillë. Lindi nga një thirrje që nuk vinte nga nëntavolinat e parapolitikës, por nga rrugët, nga shtëpitë, nga heshtja e gjatë e qytetarëve që prisnin më shumë. Sepse kishte ardhur një pikë kur heshtja e qytetarëve ishte bërë më e rëndë se zhurma e politikës”, tha Mexhiti.

Sipas tij, forca të ndryshme u bashkuan, me histori të ndryshme e me përvoja që shpesh kishin ecur në drejtime të kundërta.

“Megjithatë, në atë çast, megjithëse dallimet nuk u zhdukën, ato forca u rreshtuan pas një qëllimi më të madh: t’i japim fund një epoke të gjatë stagnimi dhe ta hapim një kapitull të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ky nuk ishte një bashkim i lehtë, por ishte një bashkim i domosdomdoshëm. Sepse pas nesh ishte një kapitull i gjatë e i rëndë, me institucione të rënduara nga skandalet, me zyra ku luhej futboll e me raste të montuara politike, ku drejtësia përdorej si armë për të qëruar hesape dhe për ta heshtur kundërshtarin. Një kapitull i tillë kërkonte një fund. Ndërsa çdo fund i tillë kërkon guxim. Prandaj erdhi edhe ky bashkim”, ka thënë Mexhiti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit