8.8 C
Skopje
Tuesday, November 11, 2025

Dy kompani amerikane largohen nga zona industriale Bunarxhik

Njoftimet se dy kompani amerikane, “Aptiv” dhe “Dura”, vitin e ardhshëm do të mbyllin fabrikat në zonën industriale të Bunarxhikut, në Shkup, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, nuk duhet të kuptohen sikur të ishte fundi i botës.

“Do të ketë kompani që hapen, do të ketë kompani që mbyllen, si vendase ashtu edhe të huaja, dhe kjo nuk duhet të shihet si diçka që paraqet fundin e botës. Ne si Qeveri përpiqemi dhe jemi të suksesshëm në tërheqjen e sa më shumë kompanive. Tashmë kemi disa që janë në proces përfundimi të negociatave. Pres deri në fund të vitit 4 ose 5 kompani të tilla të nënshkruajnë marrëveshje me Qeverinë. Pres mbi 1000 vende të reja pune, të cilat do të krijohen vetëm si rezultat i këtyre nënshkrimeve. Absolutisht do të ndodhin këto gjëra, do të ketë kompani të reja, disa do të hapen, disa do të mbyllen. Jam i bindur se me mbështetjen që japim jemi konkurrues ose ndër më konkurruesit në Evropë, dhe këtë e tregojmë me shifra dhe me vepra”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Sipas kryetarit të Shoqatës së kompanive të huaja për prodhim të avancuar teknologjik Viktor Mizo, bëhet fjalë për një vendim të brendshëm të kompanive. Sipas tij tregu evropian dhe industria automobilistike për momentin janë në stagnim.

“Ato po bëjnë një konsolidim të portofolit të tyre në tregun evropian. Industria evropiane është në stagnim, por do të kemi edhe fitues, ndërsa ndonjëherë do të kemi kompani që nuk do të arrijnë të përshtaten më së miri me atë që po ndodh në industrinë automobilistike. Për shkak se një ose dy kompani planifikojnë të largohen nga shteti, kjo nuk do të thotë se kompanitë e tjera nuk do të zhvillohen më tej ose nuk do të vijnë kompani të reja, të cilat përmes Maqedonisë do të hyjnë në tregun evropian”, u shpreh Viktor Mizo, Shoqata e Kompanive të huaja.

Nga “Aptiv” kanë konfirmuar se pritet të mbyllin fabrikën e tyre më së voni deri në fund të vitit 2026, ndërsa nga “Dura” se ndalojnë prodhimin për shkak të anulimit të porosive. Për momentin nuk ka informacione për tërheqje të mundshme të kompanive të tjera të huaja. Megjithatë ka edhe shembuj pozitivë: një nga kompanitë e industrisë automobilistike që punon në Ohër ka paralajmëruar investime të reja në vend prej mbi 30 milionë euro dhe klientë të rinj, duke sjellë kështu edhe 200 vende të reja pune. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit