𝐃𝐑𝐎𝐌𝐂𝐀 𝐇𝐈𝐒𝐓𝐎𝐑𝐈𝐄…
Në një ditë të shënuar për historinë e grave, në një moment që do të ngulitet thellë në memorien e Universitetit të Tetovës, u shpalos pllaka përkujtimore e një gruaje që ndriçoi rrugën e dijes me veprën e saj të pavdekshme Drita Sahiti – Marigona e Universitetit të Tetovës, një emër që mbetet i shkruar me shkronja të arta në ndërgjegjen tonë kolektive.
Ka emra që nuk flasin me zë, por me vepra. Ka gra që nuk kërkojnë të duken, por ndriçojnë si dritë që nuk shuhet kurrë. E tillë ishte Drita Sahiti – një grua që me një akt të heshtur i dha zë një epoke dhe i vuri themelet një ideali që jeton ende në ndërgjegjen tonë.
Figura e saj është më shumë se një kujtim është rol që i faturohet ndërgjegjes sonë kombëtare për të kujtuar gjithmonë se ndryshimi nis nga një akt zemre, nga një vepër që nuk njeh përfitim personal por që buron nga bindja e thellë se arsimi është themeli i çdo përparimi.
Në Fakultetin e Administratës së Biznesit në Kumanovë, përjetësimi i figurës së saj me një portret dhe një pllakë përkujtimore është më shumë se një nderim, shërben si një thirrje ndërgjegjeje dhe një përkujtim i thellë se historia nuk ndërtohet vetëm me fjalë por me sakrifica të mëdha.
Kur Universiteti i Tetovës ishte ende një ëndërr Drita Sahiti e pa atë jo me sy, por me shpirt. Ajo nuk e priti suksesin që të trokasë por i doli përpara duke dhuruar stolitë e saj të arit, jo për lavdi, as për përmendore, por për të mbjellë një dritë që do të ndriçonte mendjet e brezave të ardhshëm.
Roli që i faturohet në themelimin e Universitetit të Tetovës është më shumë se simbolik, është një dimension i thellë shpirtëror dhe kombëtar, që tejkalon kufijtë e një kontributi individual.
Ajo e kuptoi se forca e një kombi lind në dijen që u jepet brezave dhe se grate e sidomos NËNA SHQIPTARE pavarësisht sfidave të kohës, ka qenë gjithmonë shtylla kurrizore që e ka mbajtur shoqërinë në këmbë.
Drita Sahiti, e motivuar nga bindja e saj për drejtësinë e kauzës së dijes, i hoqi stolitë nga qafa dhe pavetëdijshëm u bë vetë stoli i një ideali madhor. Në këtë akt të heshtur, ajo shkroi histori me fjalë të pakta e me zemër të madhe.
Veprimi i saj ishte i thjeshtë në formë por madhështor në përmbajtje. Në atë dorëzim modest, ajo i dha arsimit shqip jo thjesht ndihmë materiale, por identitet dhe dinjitet. Ajo e kuptoi më herët se shumëkush se arsimimi është ajo fuqi që nuk fal vetëm dituri por jep vetëdije dhe liri.
E cilësuar me të drejtë si “Marigona e Universitetit të Tetovës”, ajo mishëroi gruan shqiptare që nuk hesht para sfidës, që nuk ndalet para pamundësisë, që nuk dorëzohet kur bëhet fjalë për të ardhmen e kombit. Figura e saj është një frymëzim i gjallë – jo vetëm për gratë, por për të gjithë ata që besojnë në fuqinë transformuese të arsimit.
Portreti i saj, i jetësuar me mjeshtëri nga duart e arta të Xhezair Rexhepit nuk është vetëm një vepër arti por një pasqyrë e shpirtit të një gruaje që nuk u lodh duke dhënë pa kërkuar asgjë në këmbim. Ai portret tashmë flet me heshtjen që frymëzon, me buzëqeshjen që inkurajon dhe me shikimin që ruan gjurmët e një epoke të tërë sakrifice.
Drita Sahiti ishte një ndër ato nëna që nuk foli, por veproi. Ajo e kuptoi me kohë se dituria ishte rruga e vetme drejt dritës, dhe vendosi që stolitë e saj të jenë më mirë rrezatim në mendjen e studentëve sesa në trupin e saj.
Ajo është një shembull për t’u admiruar, sepse përmes asaj vepre, dhurimit të stolive për Universitetin tregoi se materialja merr vlerë vetëm kur vendoset aty ku duhet.
Drita Sahiti, e cila ndryshoi realitetin me guximin dhe dashurinë e saj për dije nuk kërkoi lavdi por bëri histori. Në Monografinë e Universitetit, një kapitull i veçantë i është kushtuar emrit të saj – dhe me të drejtë, sepse ajo do të mbetet ikonë e përjetshme e këtij tempulli.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Marigonën e Universitetit- Vepra e saj nuk do të shuhet kurrë dhe emri i saj nuk do të harohet asnjëherë sepse ajo s’na la vetëm një grusht ari, por një thesar ideali.
Prof. Dr. Vullnet Ameti





