21.8 C
Skopje
Sunday, May 5, 2024

“Ditë vere” vë në skenë fatet e jetës

Teatri Kombëtar i Kosovës ka vënë në skenë shfaqjen “Ditë vere” me tekst të shkrimtarit polak Slawomir Mrozek, nën regji të Kaltërim Balajt. Shfaqja trajton fatet e jetës, ndërsa për institucionin vjen si testim i skenave alternative teatrore. Vetë karakteret kanë qenë më shumë koncepte që flasin për fatet e jetës së tyre, dështimet, sukseset, gëzimet e dëshpërimet

Plateja e Pallatit të Sportit dhe Rinisë është kthyer në skenë teatri të dielën mbrëma. Jo i zakontë ka qenë formati i shfaqjes “Ditë vere”, nën regji të Kaltërim Balajt, që është inskenuar aty. Vetë karakteret kanë qenë më shumë koncepte që flasin për fatet e jetës së tyre, dështimet, sukseset, gëzimet e dëshpërimet.Tri personazhet kryesore, ai që bart fatin e mirë (Art Pasha), e kundërta e tij, fatkeqi që portretizohet nga Andi Bajgora dhe dama nga Era Balaj, krijojnë një lloj trekëndëshi dashurie që çon drejt konkurrencës. Si pasojë e saj, njëri prej tyre shkon drejt një errësire emocionale të cilën e kalon falë shpresës e dashurisë, por shpejt tradhtohet nga njeriu i afërt.

Shfaqja fillimisht ngjan në një katrahurë e konkurrencë tregu derisa thërrasin për ofertat e tyre. I rrethuar mes njerëzish, fatkeqi ndihet i vetmuar. Ka bindjen se nuk është i aftë për asgjë. Në fakt janë njerëzit që e çojnë atë drejt bindjeve të tilla. Si pasojë e kësaj gjendjeje vendos të varë veten.

Kontrasti vjen kur fatmiri që shfaqet në skenë duke drejtuar biçikletën nis të flasë pas një heshtjeje të gjatë, fillimisht flet për fatet e mira të jetës së tij. Por shpejt zbulon se gjithashtu ka të njëjtin synim si fatkeqi pasi jeta e tij po i bëhej e pakuptimtë për shkak të sukseseve. Kur shfaqet një zonjë, krijohet rivalitet mes tyre.

Drama mes dy aktorëve çon në të papritura e në skena krimi që në mënyrë kreative përmbysen. Njëra prej skenave të trishta kthehet në harmoni me ndezjen e fishekzjarrëve dhe me përcjellje në muzikë.

Ngjarjes sa komike aq tragjike i ka dhënë emocion interpretimi i Meriton Ferizit në harmonikë dhe Aurora Kabashit në violonçel me muzikë të kompozitorit Memli Kelmendit.

Aktori Andi Bajgora ka thënë se në shfaqje trajtohen dy ekstreme.

“Në këtë shfaqje janë tri karaktere: Fatlumi, Fatkeqi dhe zonja. Janë më shumë si koncepte sesa si karaktere reale. Është diçka që ne të gjithë kalojmë nëpër to, nëpër fatmirësitë dhe fatkeqësitë e jetës. Është e ndarë në dy rrugë të ndryshme, në dy ekstreme, se si i shkon jeta dikujt që është fatmirë dhe fatkeq. Fatkeqësisht unë kam qenë fatkeqi”, ka thënë aktori Bajgora.

Skenat e shfaqjes paraqesin rutinën e një dite të zakonshme vere. Kostumografia e skenat e plazhit e kanë bërë shpesh rrëqethëse atmosferën e shfaqjes në kombinim me motin e freskët në ambient të hapur. Aktori Bajgora ka thënë se çdo sakrificë për shfaqjen ka qenë e vlefshme.

“Ia ka vlejtur deri në pikën e fundit. Është kënaqësi shumë e madhe për mua dhe kolegët e mi studentë që tani kanë diplomuar. Është mundësi shumë e madhe për ne. Për fat të keq sot ka qëlluar dita më e ftohtë e krejt provave, proceseve, nuk e kemi pritur se do të jetë kështu, por ia ka vlejtur”, ka thënë Bajgora.

Në të njëjtin mendim është bashkuar aktorja Era Balaj. Për të ka qenë hera e parë që është shfaqur para publikut në skenë teatri. Sipas saj, shfaqja “Ditë vere” do të jetë eksperiencë e paharruar për të.

“Mendoj se ia ka vlejtur jashtëzakonisht shumë, procesi ka qenë shumë i veçantë pasi është hera e parë në një shfaqje të Teatrit Kombëtar. Komplet si eksperiencë është njëra prej të cilave s’do ta harroj kurrë. Kënaqësi të punoj me të gjithë, ekipi ka qenë fantastik. Teatri komplet ka qenë shumë i mirë, mendoj se ia ka vlejtur gjithçka, edhe i ftohti”, ka thënë aktorja Balaj derisa e ka vlerësuar të papërshkrueshme ndjenjën e lojës në shfaqje teatri.

Roli i saj bëhet shkak i konkurrencës për zemrën e një vajze manipuluese që ndërpret qëllimet e tyre të këqija, por nxit konflikte.

“Roli të cilin e kam bërë është një zonjë, një damë që jo domosdo duhet të jetë një damë të cilat i imagjinojmë. Tregoj një anë tjetër të një zonjës që e di çfarë do, ku qëndron dhe është mësuar t’i marrë të gjitha gjërat që i do me forcat e veta”, ka thënë aktorja Balaj.

Regjisori Kaltërim Balaj ka vlerësuar potencialin e aktorëve të rinj derisa ata të trupës së Teatrit Kombëtar i ka konsideruar si siguri për shfaqjen.

“Shfaqja është e shkruar për një ditë të bukur vere me fate të ndryshme dhe me dramën që e ka teksti ku në një ditë vere është një ditë shumë e trishtë për personazhet. Shfaqja ka qenë e programuar për datë 18, por për shkak të motit është vendosur të bëhet sonte. Frymën, të ftohtin nuk kemi mundur t’i parashikonim, kështu që jam shumë mirënjohës për publikun që ka qëndruar gjatë tërë kohës, përndryshe një lëvdatë shumë të madhe për ta dhe përulje për aktorët që jo veç nuk janë dorëzuar, por as nuk janë anashkaluar prej emocionit dhe asaj çfarë kemi punuar”, ka thënë regjisori Balaj.

Sipas tij, zgjedhja regjisoriale është bërë për shkak të karaktereve me mosha të reja në shfaqje. “Aktorët e ansamblit, për nga përvoja kanë qenë shkollë për ne, aktorët e rinj kanë qenë energji e jashtëzakonshme, shpesh inspirim e dëshirë për mua për të vazhduar tutje. Por, në anën tjetër, e kemi pasur sigurinë e ansamblit të aktorëve rezidentë tek të cilët jemi mbështetur”, ka thënë më tej Balaj.

Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se për shfaqjen po planifikohen edhe reprizat pas premierës, por edhe në pranverën e ardhshme.

“Kjo shfaqje do të jepet edhe në disa repriza në kohën më të mirë të mundshme të këtij fundtetori dhe fillimnëntori dhe mandej do të paketohet, po them kështu, për pranverën e vitit të ardhshëm që mund të luhet tamam si një ditë vere. Sot e kemi pasur një ditë vere në vjeshtë, por besoj se do të përjetohet edhe si një ditë tamam vere”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, secila skenë i plotëson kushtet përderisa regjisori e koncepton hapësirën alternative.

“Amfiteatri i Teatrit Kombëtar i plotëson kushtet atëherë kur një regjisor arrin ta konceptojë një shfaqje për një hapësirë të caktuar. Nuk jemi duke punuar në gjendje të zakonshme, mund të them se jemi duke punuar në gjendje jo të zakonshme. Por, megjithatë, jemi duke arritur të krijojmë diçka që them shpesh se rinovimi i Teatrit Kombëtar na ka sjellë një fat në fatkeqësi pasi jemi duke krijuar një skenë alternative”, ka thënë drejtori Mehmeti më tej.

Në shfaqjen me dramaturgji të Zoga Çeta-Çitakut kanë luajtur edhe Lumnije Sopi, Veton Osmani, Adhurim Demi dhe Naim Berisha.

Shfaqja “Ditë vere” është intriguese duke përplasur fatet e jetës brenda personazheve të dramaturgut polak./Koha.net

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit