Nën drejtimin e mësuesve amerikanë, më 22 korrik 1921 u themelua shkolla e parë teknike në vend, e cila ofronte trajnime të ndryshme profesionale.
Drejtori i Shkollës Teknike Amerikane ishte mësuesi i mekanikës, Harry Fultz, i cili implementoi në Shqipëri pedagogjinë e bazuar në parimin e të nxënit përmes praktikës. Ideja për hapjen e kësaj shkolle erdhi pas një vizite të kryer në Shqipëri në vitin 1919, nga përfaqësues të Kryqit të Kuq Amerikan, të cilët konstatuan se përtej emergjencës së shërbimit mjekësor, vendit i nevojiteshin edhe institucione arsimore.
Më 18 korrik 1932, Fultz la Tiranën pas vendimit të mbretit Zog për shtetëzimin e arsimit. Kjo ishte një masë e ndërmarrë nga mbreti, për të parandaluar përpjekjet italiane për shtrirjen e ndikimit në vend. Fultz u nis nga porti i Durrësit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë postin e drejtorit të shkollës teknike, që e mbante që prej vitit 1922.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Fultz-i do të rikthehej në Tiranë, si zëvendësshef i misionit diplomatik amerikan, për t’u dëbuar më pas nga qeveria komuniste në vitin 1946 si person i padëshiruar. Në vitin 1948, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e cilësonte të papërshtatshëm emërtimin “Instituti Teknik i Tiranës” për këtë shkollë profesionale të gradës së mesme. Për këtë arsye ministria vendosi që instituti të quhej në vazhdim “Politeknikumi i Tiranës”./atsh/KultPlus.com






