Zjarri mbi fshatin Vërzhallë, ekipet në terren – nesër planifikohet ndërhyrje ajrore

Advertisement

Një zjarr ka shpërthyer mbi fshatin Vërzhallë, ndërsa ekipet e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit janë në terren dhe po punojnë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Në terren ndodhet edhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali, së bashku me zëvendëskomandantin e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Erol Aliu, si dhe ekipet zjarrfikëse të angazhuara në intervenim.

Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar edhe dy automjete të specializuara të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Sipas QMK-së, terreni i paarritshëm e vështirëson ndërhyrjen nga toka. Për këtë arsye, për nesër në mëngjes është planifikuar edhe ndërhyrje ajrore, e cila do të realizohet në varësi të kushteve meteorologjike dhe situatës në terren.

Ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës, duke monitoruar situatën dhe duke reaguar në rast të ndryshimit apo përhapjes së zjarrit.

“Prioriteti ynë është ta vendosim zjarrin nën kontroll, ta lokalizojmë dhe të vazhdojmë me të gjitha kapacitetet e nevojshme deri në shuarjen e plotë të tij”, thuhet në njoftimin e drejtorit të QMK-së, Muhamed Ali.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit