Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka zhvilluar takimin e dytë të Komisionit të Përbashkët për tunelin hekurudhor ndërkufitar me Bullgarinë.
Takimi u mbajt së bashku me zëvendësministren bullgare të Transportit dhe Lidhjeve, Cveta Timeva, me fokus në shqyrtimin e progresit dhe koordinimin e hapave të ardhshëm për realizimin e projektit.
Tuneli është një nga segmentet kryesore të Korridorit VIII hekurudhor. Sipas Zekolli Shaqirit, gjatë takimit u konfirmua mbështetja e Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare për financimin e projektit, si dhe gatishmëria e dy vendeve për bashkëpunim të mëtejshëm.
Ajo theksoi se realizimi i tunelit do të ndikojë në përmirësimin e lidhjeve rajonale, zhvillimin ekonomik dhe ndërlidhjen më të madhe të Maqedonisë së Veriut me Evropën.






