Deputet i VLEN, Adnan Azizi ka uruar zgjedhjen e Zylfiqar Zejnulla për ministër pa resor, përcjell TV21. Azizi thotë se Zejnulla, kryetar i Partisë Demokratike të Turqve, do të jetë përfaqësim i drejtpërdrejtë i komunitetit turk në ekzekutiv.
“Sot, koalicionit qeverisës iu bashkua zyrtarisht ministri i sapozgjedhur, miku im Zilfiqar Zejnullah. Ky është një lajm i mirë për komunitetin turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë do të ketë një përfaqësim të drejtpërdrejtë dhe një adresë të qartë në Qeveri. Urime ministrit Zilfiqar Zejnullah për detyrën e re! I uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në përmbushjen e përgjegjësive që ka marrë përsipër. Njëkohësisht, urime komunitetit turk dhe Partisë Demokratike Turke (TDP) për këtë përfaqësim institucional. Besoj se ky angazhim do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në vend”, shkroi Azizi.
Zgjedhja e Zejnulla vjen pas marrëveshjes së koalicionit mes partisë së tij dhe VMRO-DPMNE-së, me ç’rast deputeti Bejxhan Iljas, i zgjedhur nga lista e Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, iu bashkua shumicës qeverisëse.
Me këtë hap, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE tani ka 59 deputetë, pa përfshirë deputetët e partnerëve të koalicionit qeverisës, VLEN dhe ZNAM.






