Shkup, 10 gusht, Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj kritikave të LSDM-së lidhur me elementet vizuale të spektaklit “Ditë e ndritur fuqishëm”, kushtuar 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë. Nga partia thonë se bëhet fjalë për një instalacion artistik, në të cilin një diell me shumë rreze vizualisht shndërrohet në flamurin shtetëror maqedonas me tetë rreze.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë LSDM-në dhe liderin e kësaj partie, Venko Filipçe, se qëllimisht po e denigrojnë ngjarjen, e cila, sipas tyre, është pritur pozitivisht nga qytetarët. Sipas partisë në pushtet, kritikat janë të motivuara politikisht dhe përbëjnë sulm ndaj shënimit të 35-vjetorit të Maqedonisë së pavarur.
“LSDM-së tani i pengon edhe dielli maqedonas dhe instalacioni artistik”, thuhet nga VMRO-DPMNE, duke rikujtuar politikat e qeverive të mëparshme lidhur me simbolet shtetërore dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me shtetësinë.
VMRO i drejtojnë një sërë akuzash LSDM-së, ndër të cilat edhe për ndryshimet kushtetuese dhe politikat lidhur me çështjet historike dhe kombëtare.
VMRO-DPMNE vlerëson se manifestimi “Ditë e ndritur fuqishëm”, i organizuar me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, e ka bashkuar shtetin dhe është pritur pozitivisht nga qytetarët.
Nga VMRO shtojnë se, sipas tyre, kritikat e LSDM-së janë përpjekje për ta denigruar projektin dhe porositën se pushteti do të vazhdojë me aktivitetet për, siç thonë, rikthimin e dinjitetit dhe përparimin e Maqedonisë. përcjell Zhurnal.mk .






