VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj kreut të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (SDSM), Venko Filipçe, duke e akuzuar atë se gjatë paraqitjes së tij në Novo Sellë ka qenë i shoqëruar nga persona ndaj të cilëve, sipas partisë, ekzistojnë vendime gjyqësore të formës së prerë për vepra penale.
Nga VMRO-DPMNE thonë se disa prej personave të pranishëm me Filipçen janë dënuar për vepra që lidhen me dhunën dhe drogat. Në reagim përmenden Hristijan Eftimov dhe Ilija Stojanov, për të cilët partia pretendon se janë dënuar me burgim me kusht për një rast dhune në sheshin e Strumicës.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Stojanov ka edhe një dënim tjetër me kusht për vepër penale që lidhet me prodhimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
Partia në pushtet përmend edhe Zoran Trifunovskin, sekretar organizativ të SDSM-së, duke pretenduar se ndaj tij në të kaluarën janë zhvilluar procedura për vepra të rënda penale. Në reagim thuhet gjithashtu se Trifunovski ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se në vitin 2023 është emëruar drejtor i “MŽ Infrastruktura”.
VMRO-DPMNE e akuzon Filipçen se përmes paraqitjeve me këta persona po tenton të krijojë incidente politike dhe të fitojë pikë politike.
Në reagim përdoren edhe akuza dhe etiketime të ashpra ndaj drejtuesve të SDSM-së, ndërsa partia kërkon që Filipçe të distancohet nga personat ndaj të cilëve, sipas saj, ekzistojnë vendime gjyqësore.
Pretendimet e përmendura në reagim janë qëndrime të VMRO-DPMNE-së






