VMRO-DPMNE: LSDM të përgjigjet për borxhet që la pas, ato do të shlyhen deri në vitin 2030

Advertisement

 

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj kritikave të LSDM-së për borxhin publik, duke akuzuar ish-qeverisjen e LSDM-së dhe BDI-së se ka lënë pas miliarda euro borxhe, të cilat shteti do t’i shlyejë në vitet e ardhshme.

Nga partia thonë se kur LSDM-ja flet për borxhin publik, fillimisht duhet të përgjigjet për “faturën që la pas së bashku me BDI-në gjatë kohës që ishte në pushtet”.

Sipas VMRO-DPMNE-së, qeveria në qershor të vitit 2024 mori përgjegjësinë për drejtimin e vendit me një borxh publik mbi 60 për qind të PBB-së, ndërsa sot borxhi është 58.8 për qind e PBB-së.

“Vitet e ardhshme maturohen rreth 8 miliardë euro borxhe të marra gjatë kohës së LSDM-së dhe BDI-së. Vetëm në vitin 2026 maturohen rreth 1.5 miliardë euro, në vitin 2027 edhe 1.5 miliardë, në vitin 2028 rreth 1.9 miliardë, në vitin 2029 rreth 1.3 miliardë dhe në vitin 2030 rreth 1.4 miliardë euro”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia akuzojnë gjithashtu LSDM-në se për vetëm shtatë vite e ka rritur borxhin e shtetit me rreth 4.5 miliardë euro dhe kërkojnë përgjigje se për çfarë janë shpenzuar këto mjete.

VMRO-DPMNE thekson edhe rritjen ekonomike prej 4.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke theksuar se ekonomia ka shënuar rritje mbi 3 për qind për tetë tremujorë radhazi.

“Në vend që LSDM-ja t’i shtrembërojë faktet, është koha të përgjigjet për borxhet, miliardat e shpenzuara dhe faturën që la pas”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit