Partia VLEN ka reaguar lidhur me vendimin për hedhjen poshtë të aktakuzës për rastin e spitalit modular në Tetovë, ku në tragjedinë e vitit 2021 humbën jetën 14 persona. Nga kjo parti thonë se një vendim i tillë ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si është trajtuar çështja e përgjegjësisë për tragjedinë.
Sipas VLEN-it, mbyllja e rastit në këtë formë paraqet një goditje të re për familjet e viktimave, të cilat prej vitesh presin zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë.
Duke komentuar vendimin, nga VLEN kanë ngritur pyetjen se si është e mundur që pas humbjes së 14 jetëve njerëzore, përgjegjësia të përfundojë te një defekt teknik.
“Ali Ahmeti dhe Prokuroria e drejtuar nga Islam Abazi i detyrohen një përgjigje opinionit publik: si është e mundur që, pas 14 jetëve të humbura, në fund të dalë se ‘fajtor’ është kablloja? Ky rast rrezikon të mbetet i shënuar si një nga shembujt më të turpshëm të papërgjegjshmërisë institucionale dhe të drejtësisë së kapur”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Nga partia theksojnë se drejtësia duhet të jetë e pavarur nga ndikimet politike dhe se përgjegjësia për një tragjedi me përmasa të tilla duhet të përcaktohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme.
“Drejtësia nuk duhet të varet nga ndikimi politik, përkatësia partiake apo funksioni i askujt. Kur për një tragjedi me 14 viktima njerëzore nuk ka përgjegjësi të plotë dhe të paanshme, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për dështimin e një aktakuze, por për një humbje të rëndë të të gjithë sistemit të drejtësisë”, deklarojnë nga VLEN.
Partia opozitare shqiptare e ka lidhur këtë rast edhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë, duke drejtuar kritika ndaj BDI-së dhe udhëheqjes së saj.
“Ky epilog skandaloz gjyqësor rëndon mbi udhëheqjen e pareformuar të BDI-së. Kjo udhëheqje edhe një herë tregon se shqiptarët në Maqedoni i përdor si alibi të përsosur për obsesionin e saj me pushtetin – pushtet që për ta nënkupton privilegje, tenderë dhe karrige, e jo përgjegjësi para qytetarëve”, thuhet më tej në reagim.
VLEN ka kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tyre, janë trajtuar viktimat dhe familjarët e tyre, duke theksuar se 14 personat që humbën jetën nuk mund të reduktohen në një numër në një proces gjyqësor.
“Për BDI-në, siç duket, jetët njerëzore janë vetëm statistikë. Pa shpirt, pa moral dhe pa empati. Por për familjet e viktimave ato janë jetë njerëzore të pazëvendësueshme, ndërsa për të gjithë shoqërinë – detyrim që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend të plotë”, thuhet në komunikatën e partisë.
Në fund, VLEN ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e plotë të tragjedisë dhe përgjegjësi për të gjithë ata që mund të kenë pasur rol në ngjarjen tragjike.
“VLEN nuk do të lejojë që tragjedia e Tetovës të harrohet, e as që përgjegjësia të varroset në labirintet e prokurorisë dhe gjykatave. Do të vazhdojmë të kërkojmë hetim të pavarur, përgjegjësi të paanshme dhe drejtësi për secilën prej 14 jetëve të humbura”, thuhet në reagim.
Nga VLEN kanë paralajmëruar gjithashtu se, sipas tyre, përgjegjësia politike për këtë çështje do të kërkohet edhe përmes votës së qytetarëve.
“Dënimi politik për këtë sjellje antipopullore dhe të papërgjegjshme do të vijë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen. Shqiptarët po vijnë për drejtësinë e tyre”, përfundon komunikata e VLEN-it.






