Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas mungesës së himnit shqiptar në një aktivitet kulturor të zhvilluar në Pustec, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Nga MEPJ e kanë cilësuar si serioze mosintimin e Himnit Kombëtar Shqiptar, duke theksuar se respektimi i simboleve kombëtare është pjesë e protokollit dhe e respektit të ndërsjellë.
“Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, i cili ka kërkuar ndjesë dhe ka thënë se u kishte kërkuar organizatorëve që krahas himnit maqedonas të intonohej edhe himni shqiptar.
Ndërkohë, kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar në platformën X, duke e cilësuar ngjarjen si një shembull të “nacional-folklorizmit ballkanik”, ndërsa ka vlerësuar qëndrimin e kryetarit të Bashkisë së Pustecit.
Aktiviteti kulturor u mbajt të enjten në Pustec, zonë ku jeton kryesisht komuniteti maqedonas në Shqipëri. Në aktivitet mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.






