Nafta 60 lekë më lirë, qytetarët e Dibrës kalojnë kufirin drejt Maqedonisë së Veriut, radhë në Bllatë

Advertisement

Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri po shtyjnë gjithnjë e më shumë banorë të Dibrës të kalojnë kufirin drejt Maqedonisë së Veriut për t’u furnizuar me naftë dhe për të bërë blerje.

Aktualisht, një litër naftë në Shqipëri kushton rreth 219 lekë, ndërsa në Dibër të Madhe çmimi është rreth 160 lekë për litër. Diferenca prej afro 60 lekësh ka bërë që shumë drejtues automjetesh të zgjedhin të furnizohen në anën tjetër të kufirit.

Fluksi i automjeteve ka shkaktuar radhë të gjata në Pikën e Kalimit Kufitar të Bllatës, ku udhëtarët po përballen me pritje të zgjatura për shkak të numrit të madh të mjeteve që kalojnë drejt Maqedonisë së Veriut.

Përveç karburantit, banorët po shfrytëzojnë kalimin kufitar edhe për të blerë produkte ushqimore, duke iu drejtuar tregjeve në Dibër të Madhe për shkak të çmimeve më të favorshme.

Rritja e fluksit vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord për zbatimin e sistemit të kontrollit kufitar “One Stop”, i cili synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat në pikën kufitare.

Megjithatë, rreth dy muaj pas nënshkrimit, sistemi ende nuk ka nisur të zbatohet, pasi marrëveshja duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dyja vendeve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit