Kuvendi Qendror i VLEN-it sot mbajti mbledhjen e parë pas themelimit të partisë. Në mbledhje u diskutuan zhvillimet aktuale politike, prioritetet e periudhës së ardhshme, si dhe hapat për forcimin e mëtejshëm të organizimit partiak.
Një nga temat e diskutimit ishte edhe rikonstruimi i Qeverisë. Në këtë drejtim u hap debat për performancën e bartësve të funksioneve, me qëllim që çdo ndryshim eventual të shërbejë për rritjen e efikasitetit, përgjegjësisë dhe realizimin më të shpejtë të zotimeve të dhëna para qytetarëve.
Kuvendi Qendror bëri gjithashtu një analizë të punës së deritanishme të VLEN-it. U diskutuan rezultatet e arritura, sfidat me të cilat përballemi dhe prioritetet për periudhën e ardhshme, me theks te koordinimi i strukturave, angazhimi në terren dhe komunikimi i vazhdueshëm me opinionin.
Pjesë e rëndësishme e mbledhjes ishte edhe konsolidimi i degëve dhe forcimi i strukturave në të gjitha vendbanimet. VLEN vlerëson se organizimi i fuqishëm në terren është parakusht për përfaqësim më të mirë dhe për përgjigje më të shpejtë ndaj nevojave në terren.
VLEN do të vazhdojë me përgjegjësi të plotë politike dhe institucionale të punojë në shërbim të qytetarëve, për realizimin e prioriteteve dhe pritshmërive që burojnë nga besimi që na kanë dhënë.





