Shkëndija e Haraçinës është skuadra më e re e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, pasi triumfoi ndaj Pelisterit pas ekzekutimit të penalltive në një ndeshje dramatike të zhvilluar në Kavadar.
Koha e rregullt përfundoi me rezultat 1-1, ndërsa fati i biletës për në elitë u vendos vetëm pas një serie të gjatë dhe emocionuese nga pika e bardhë.
Skuadra nga Haraçina kaloi e para në epërsi në pjesën e dytë falë Nazifit, i cili realizoi pas një kundërsulmi të shpejtë. Pas golit të pësuar, Pelisteri u hodh në sulm dhe fitoi një penallti të artë për të barazuar rezultatin, por sulmuesi me përvojë Mirko Ivanovski dështoi të realizojë, duke humbur një mundësi të madhe për ekipin e tij.
Megjithatë, Pelisteri nuk u dorëzua. Në minutat shtesë, pas disa rasteve të rrezikshme, Petkovski shënoi në minutën e 97-të pas asistimit të Spirovskit dhe e dërgoi sfidën në penallti.
Heroi absolut i mbrëmjes ishte portieri i Shkëndijës së Haraçinës, Antonio Stolevski. Ai priti disa penallti dhe mbajti gjallë skuadrën e tij në momentet vendimtare. Një nga pritjet e tij u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it, por portieri vazhdoi me paraqitjen brilante.
Vendimi përfundimtar erdhi në serinë e tetë të penalltive. Petkovski nuk arriti të mposhtte Stolevskin, ndërsa Dervishi tregoi qetësi maksimale dhe realizoi goditjen vendimtare, duke vulosur fitoren e Shkëndijës së Haraçinës.
Me këtë triumf historik, Shkëndija e Haraçinës siguron promovimin në Ligën e Parë, ndërsa Pelisteri mbetet pa arritur objektivin dhe sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Dytë./Ora24.tv





