VLEN: Çarshia e Vjetër, zemra e Çairit po rilind pas gjysmë shekulli

Nga koalicioni VLEN njoftojnë se pas më shumë se 50 vjetësh po nis një projekt, që sipas tyre, synon rikthimin e identitetit autentik të Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe zhvillimin e saj në përputhje me standardet moderne.

Sipas këtij koalicioni, bëhet fjalë për një ndërhyrje infrastrukturore në një sipërfaqe prej 1.567 metrash katrorë, me investim rreth 29 milionë denarë. Projekti përfshin ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe kanalizimit, vendosjen e rrjetit elektrik modern dhe fibër optike, si dhe rikonstruktimin e rrugicave me gur travertin dhe ndriçim tradicional.

“Ky është investimi më i madh i këtij lloji, një ndërhyrje e thellë infrastrukturore me standarde moderne dhe vizion afatgjatë”, thuhet në reagimin e VLEN-it, ku shtohet se projekti përfshin edhe rindërtimin e rrugëve përreth, duke e trajtuar zonën si një tërësi funksionale.

Më tej, nga VLEN theksojnë simbolikën e këtij projekti për zonën e Çair, duke e cilësuar si një rikthim të identitetit dhe krenarisë lokale.

Projekti është prezantuar nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në prani të zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali.

Nga VLEN vlerësojnë se ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik dhe urban, duke theksuar se “Çairi po zhvillohet dhe Çarshia po rilind”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit