Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në projektin e ashtuquajtur “masterplan” për Çarshinë në Çair, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën e realizimit dhe përzgjedhjen e kompanisë zbatuese.
Sipas reagimit, projekti që ishte promovuar me bujë para zgjedhjeve si një iniciativë për ruajtjen dhe valorizimin e Çarshisë, ka degraduar në ndërhyrje të pjesshme infrastrukturore, ku kalldrëmet tradicionale po zëvendësohen në mënyrë të papërshtatshme, madje në disa pjesë edhe me asfalt. BDI vlerëson se kjo qasje dëmton identitetin dhe vlerën historike të zonës.
Në fokus të kritikave është edhe kompania Lendi Grup, e cila sipas BDI-së është themeluar në vitin 2024 dhe, pavarësisht mungesës së përvojës së gjatë apo referencave të dëshmuara, ka arritur të fitojë një sërë tenderësh publikë me vlera të konsiderueshme.
BDI thekson se është shqetësues fakti që kjo kompani rezulton fituese në disa komuna të drejtuara nga VMRO-DPMNE, ndërsa në disa raste, sipas tyre, vlera e tenderëve përputhet në mënyrë të dyshimtë me ofertën fituese.
“Qytetarët kanë të drejtë të pyesin pse një kompani e sapokrijuar bëhet kaq shpejt aktor dominues në tenderët publikë, kush qëndron pas saj dhe pse lidhet vazhdimisht me të njëjtin rreth politik,” thuhet në reagim.
BDI ngre gjithashtu dyshimin nëse projekti në Çair përfaqëson një formë “shlyerjeje borxhi politik” për mbështetjen zgjedhore, duke paralajmëruar se komuna nuk duhet të shndërrohet në hallkë të një zinxhiri tenderësh me interesa partiake.
Në fund, partia kërkon transparencë të plotë për të gjitha kontratat e lidhura me “Lendi Grup”, për kriteret e përzgjedhjes, ofertat dhe procedurat e ndjekura.
“Paratë publike nuk janë për eksperimente dhe as për shpërblime politike. Çairi është i qytetarëve,” përfundon reagimi i BDI-së.



