Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës nga VLEN, Driton Sulejmani, ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për heshtje lidhur me, siç e quajti ai, skandalin e projektit të kanalizimit në Kërçovë, me vlerë mbi 9 milionë euro, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Në një konferencë për media, Sulejmani tha se BDI, e cila sipas tij ka udhëhequr Komunën e Kërçovës për tre mandate radhazi, nuk ka dhënë asnjë sqarim për projektin që duhej të përfundonte në vitin 2024.
“Që kur u shpalos skandali me kanalizimin në Kërçovë, nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga BDI-ja. Për tre mandate radhazi, kjo parti e kishte në dorë Komunën e Kërçovës. Pikërisht gjatë qeverisjes së saj, projekti me vlerë prej mbi nëntë milionë euro, i financuar me para të Bashkimit Evropian, duhej të përfundonte në vitin 2024. Paratë janë dhënë, afatet kanë kaluar, ndërsa banorët kanë mbetur me gropa septike”, deklaroi Sulejmani.
Ai kritikoi heshtjen e drejtuesve të BDI-së, duke përmendur edhe kryetarin e partisë, Ali Ahmeti.
“Hesht Ali Ahmeti. Heshtin ish-drejtuesit e komunës. Heshtin edhe ata që për vite me radhë e kanë pasur në duar komunën, institucionet dhe projektet që janë realizuar atje. Heshtja e tyre vetëm sa i forcon dyshimet se edhe në fondet evropiane i kanë futur duart deri në bërryla”, u shpreh ai.
Sulejmani tha se, sipas tij, është e papranueshme që një projekt i financuar me fonde evropiane të mos ketë dhënë rezultatet e pritshme.
“Përpara opinionit flasin për integrime e standarde evropiane. Por kur duhet të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur me më shumë se nëntë milionë euro të taksapaguesve evropianë, zgjedhin ta mbajnë gojën mbyllur. Nëntë milionë euro nuk janë pak para që të mos dihet ku kanë përfunduar. Janë para të destinuara për kanalizim dhe kushte elementare për banorët”, tha ai.
Sipas zëvendësministrit, rasti është veçanërisht i rëndë pasi bëhet fjalë për Zajazin, vendlindjen e Ali Ahmetit.
“Pjesa më e turpshme e këtij skandali është se bëhet fjalë për Zajazin, vendlindjen e Ali Ahmetit. Nëse kështu janë kujdesur për Zajazin, mund të merret me mend se si janë kujdesur për vendbanimet e tjera shqiptare”, deklaroi Sulejmani.
Në fund, ai theksoi se VLEN nuk do të lejojë, sipas tij, që çështja të harrohet dhe premtoi përfundimin e projektit të kanalizimit.
“BDI-ja mund të bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë, por heshtja nuk e mbyll skandalin. Përkundrazi, çdo ditë pa përgjigje vetëm sa e forcon dyshimin se dëshiron që ky skandal dhe ky turp të harrohen. Ne këtë nuk do ta lejojmë, por as nuk do t’i lëmë banorët e Zajazit të vazhdojnë të jetojnë me gropa septike. Kanalizimin Zajaz–Dugovë do ta përfundojmë”, përfundoi Sulejmani.





