Versioni i ri i manikyrit francez: Një pikë e vetme që ndryshon gjithë pamjen

“Single dot French” sjell një kthesë argëtuese dhe elegante te manikyri klasik, duke kombinuar bazën neutrale, majat me ngjyra dhe një detaj grafik që bie menjëherë në sy.

Manikyri francez prej disa sezonesh po rikthehet në versione të ndryshme. Pas majave klasike të bardha, “micro French”, skajeve me ngjyra dhe shkëlqimit të glazuar, tani vjen edhe një variant tjetër, i thjeshtë, por shumë interesant.

 

Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “single dot French”, përkatësisht manikyr francez me një pikë. Në vend të pikave të vogla të shpërndara në të gjithë thoin, në majë vendoset vetëm një pikë më e madhe, në ngjyrë kontrasti. Rezultati ka një frymë retro, por duket modern, i rregullt dhe shumë i përshtatshëm për përditshmëri.

Ky trend lidhet edhe me rikthimin më të gjerë të pikave në modë. Motivi “polka dot” po shfaqet sërish në fustane, xhaketa dhe aksesorë, ndërsa në thonj vjen në një formë më të përmbajtur. Një pikë e vetme duket më elegante se një model i plotë me pika dhe i jep manikyrit një detaj të saktë grafik, transmeton Telegrafi.

Si duket manikyri “single dot French”?

Versioni më i zakonshëm nis me një bazë neutrale, ndërsa majat e thonjve lyhen me ngjyra të ndryshme. Mund të jenë tone pastel, nuanca neoni, ngjyra të zbutura të frymëzuara nga vitet ’60, ose kombinime që në fillim mund të duken të pazakonta, por në thonj funksionojnë shumë mirë. Për shembull: blu me kafe, jeshile me të kuqe, rozë me ngjyrë ulliri, ose e verdhë me kafe çokollate.

Manikyr i thjeshtë, por me kthesë interesante

Ky stil përshtatet lehtë me shije të ndryshme. Mund të jetë shumë diskret, me bazë natyrale, maja të holla pastel dhe një pikë të vogël, por edhe më i guximshëm, me ngjyra më të forta, maja më të trasha dhe një pikë më të madhe si detaji kryesor.

Ndër versionet më të pëlqyera janë ato me paleta të ngrohta retro, si jeshilja ulliri, e verdha dhe kafja, pastaj kombinimet më të buta të rozës së lehtë me ngjyrën ulliri, si edhe variantet me nuancën “butter yellow”, e cila vazhdon të mbetet ndër ngjyrat më të dëshiruara të sezonit.

 

 

Po shfaqen edhe versione me “blooming gel”, i cili krijon një efekt më të butë, paksa të shpërndarë të pikës, duke e bërë manikyrin të duket më pak grafik dhe më shumë artistik.

Për ato që nuk duan manikyr klasik francez, i njëjti detaj mund të përdoret edhe mbi një bazë njëngjyrëshe. Në këtë rast, pika mbetet zbukurimi kryesor, por pa majën e theksuar të thoit. Megjithatë, versioni më i dallueshëm i këtij trendi mbetet ai që bashkon manikyrin francez, majën me ngjyrë dhe një pikë të vetme kontrastuese. /Telegrafi/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit