Vërshimet shkaktojnë dëme në bujqësi në Rahovec, drejtori i Bujqësisë kërkon kompensimin e fermerëve

Advertisement

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Komunës së Rahovecit, duke dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore.

Për dëmet ka reaguar drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, i cili ka bërë të ditur se një nga rastet më të rënda është ai i fermerit Ilvi Jupa, parcela e të cilit e mbjellë me pjepër është përmbytur pothuajse tërësisht.

“Sot, pas reshjeve të dendura të shiut, disa pjesë të Komunës së Rahovecit u përfshinë nga vërshimet e ujërave atmosferike, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore”, ka shkruar Thaqi.

 

Ai ka theksuar se parcela e fermerit Ilvi Jupa ka pësuar dëme të mëdha si pasojë e përmbytjeve.

 

“Ndër rastet më të rënda është parcela e fermerit Ilvi Jupa, e mbjellë me pjepër, e cila u mbulua pothuajse tërësisht nga uji, duke shkaktuar humbje të mëdha në prodhim”, ka deklaruar ai.

 

Drejtori i Bujqësisë ka bërë thirrje që institucionet qendrore të nisin sa më shpejt procesin e vlerësimit të dëmeve dhe kompensimit të fermerëve të prekur.

 

“Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Rahovecit u qëndron pranë fermerëve të prekur dhe i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të fillojë sa më parë procesin e vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Fermerët nuk duhen të mbeten vetëm përballë këtyre humbjeve”, ka përfunduar Thaqi. /Telegrafi/

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit