Strugë, 5 Korrik 2025 – Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, nga Struga ka prezantuar Planin Operativ për Punësim 2025, duke theksuar se ky nuk është thjesht një dokument zyrtar, por një angazhim i fortë i qeverisë për zhvillim të barabartë dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të qytetarëve.
“Sot në Strugë nuk erdhëm thjesht për të prezantuar një plan. Erdhëm për të dhënë një mesazh të qartë: Struga është pjesë e barabartë e vizionit tonë për zhvillim,” deklaroi Azizi.
Ajo tha se përmes këtij plani do të krijohen mijëra vende të reja pune, do të ketë trajnim profesional për të rinjtë, gratë dhe të papunët, si dhe do të fuqizohet partneriteti me sektorin privat për një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme.
Sipas Azizit, plani është ndërtuar mbi dëgjimin aktiv të qytetarëve dhe analizimin e realitetit në terren, dhe përfaqëson një ndryshim konkret në mënyrën se si hartohen dhe zbatohen politikat punësuese në vend.