Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka zhvilluar sot një takim pune me ambasadorin e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Kristof Zomer, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet dhe përmirësimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimit të mundësive të reja për investime, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës.
Nikolloski u ka bërë ftesë kompanive zvicerane që të shqyrtojnë mundësitë për përfshirje në projektet infrastrukturore dhe investuese në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se vendi mbetet i hapur për partneritete dhe investime të reja.
Një tjetër temë e diskutimit ka qenë zhvillimi i turizmit dhe përmirësimi i lidhjeve ajrore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës. Sipas njoftimit, lidhjet më të mira ajrore do të kontribuonin në rritjen e shkëmbimeve turistike, lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Nga Ministria e Transportit theksojnë se avancimi i marrëdhënieve me Zvicrën dhe tërheqja e investimeve të huaja mbeten ndër prioritetet e Qeverisë, me synim zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët dhe bizneset.
Në njoftim nuk janë bërë të ditura marrëveshje konkrete për investime të reja apo hapjen e linjave të reja ajrore.








