Komisioni për Financim dhe buxhet i Kuvendit sot vazhdon debatin për Propozim-buxhetin e vitit 2027, në lexim të dytë, për të cilin janë dorëzuar më shumë se 300 amendamente.
Debati në komision filloi të premten dhe, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, mund të zgjasë deri në dhjetë ditë. Katër ditë janë paraparë për diskutim të përgjithshëm, ndërsa gjashtë ditë për shqyrtimin e amendamenteve të dorëzuara.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë prezantimit të buxhetit, theksoi se qëllimi i tij është të sigurojë rritje ekonomike, stabilitet fiskal dhe përmirësim të shërbimeve publike.
Sipas projeksioneve, në vitin 2027 pritet rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 3,8 për qind, ndërsa të ardhurat e përgjithshme buxhetore janë planifikuar në 395,4 miliardë denarë dhe shpenzimet në 440,4 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në 45 miliardë denarë, përkatësisht 3,5 për qind të PBB-së. Për investime kapitale janë paraparë 40,8 miliardë denarë.
Nga Ministria e Financave theksojnë se prioritet do të jenë investimet zhvillimore, infrastruktura, energjetika, shëndetësia, arsimi dhe bujqësia.








