Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll sonte zhvillon ndeshjen e fundit, të gjashtën në fazën e grupeve të Ligës B të Ligës së Kombeve. Kundërshtare e “kuqeverdhëve” do të jetë Sllovenia, përcjell TV21. Përzgjedhësi Goce Sedlloski pret që futbollistët maqedonas të tregojnë të njëjtin shpirt luftarak si në ndeshjen e kaluar në transfertë ndaj Skocisë, të luajnë në mënyrë ofensive dhe më në fund t’i gëzojnë tifozët me një fitore.
“Duhet të luajmë më ofensivisht sesa në ndeshjet e mëparshme. Krijojmë raste, por kur në ndeshje të tilla krijon dy apo tri mundësi, duhet t’i shfrytëzosh. Sllovenia është një përfaqësuese kompakte dhe del fuqishëm nga mbrojtja, por besoj se me karakter mund të arrijmë deri te tri pikët”, deklaroi Sedlloski.
Ndeshja do të zhvillohet në Arenën Kombëtare „Todor Proeski“ në Shkup, me fillim nga ora 20:45.








